Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese, ndërsa opinionet rreth grupit aktual mbeten optimiste. Trajneri i moshave, Arben Parmeza, vlerëson se ekipi kuqeblu ka pësuar ndryshime të rëndësishme krahasuar me sezonin e kaluar, duke theksuar se tashmë bëhet fjalë për një skuadër me një profil të ri.

Sipas tij, edhe pse mungojnë disa prej emrave të njohur që kanë qenë pjesë e Vllaznisë në edicionin e kaluar, grupi aktual përbëhet nga futbollistë të rinj me potencial, të cilët mund të krijojnë një skuadër më kompakte dhe të ndërtojnë një filozofi të re loje.

Duke folur për rivalët kryesorë në kampionat, Parmeza shprehet se Egnatia dhe Dinamo janë dy ekipet që aktualisht bëjnë diferencën, si për cilësinë e organikës ashtu edhe për vazhdimësinë e rezultateve, ndaj do të jenë skuadrat për t’u mundur edhe në sezonin e ri.

Ndërkohë, nga kjo e hënë Vllaznia do të zhvendoset në Pukë, ku do të zhvillojë fazën e radhës të përgatitjeve. Stafi teknik synon të rrisë nivelin fizik dhe të konsolidojë grupin përpara nisjes së kampionatit, që starton gjatë këtij muaji.