Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye të premten në një vend pelegrinazhi, lutjeje dhe kujtese. Pas dekadash, Eminenca e Tij, Kardinal Ernest Simoni Troshani, u rikthye në vendin ku kaloi 12 vite burg gjatë regjimit komunist, duke përjetuar edhe një herë kujtimet e një prej periudhave më të dhimbshme të jetës së tij.

Me të mbërritur në Spaç, Kardinali vizitoi ambientet ku ishte mbajtur i burgosur dhe u ndal pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve, duke kujtuar me emocion sakrificat e qindra të dënuarve politikë që kaluan vitet më të vështira të jetës së tyre në këtë kamp famëkeq.

Më pas, ai kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e ish-burgut, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe autoriteteve vendore.

Në fjalën e tij, Kardinal Ernest Simoni Troshani e cilësoi rikthimin në Spaç si një moment të mbushur me emocione të thella. Përballë mureve ku dikur iu mohua liria, ai rikujtoi arrestimin, dënimin dhe vitet e gjata të burgimit, por theksoi se besimi në Zot ishte forca që e mbajti të pathyer. Ai kujtoi bashkëvuajtësit që nuk e humbën kurrë shpresën edhe në ditët më të errëta dhe u bëri thirrje shqiptarëve të jetojnë me dashuri, falje e besim, duke mos lejuar që urrejtja të zërë vend në zemrat e tyre.

Spaçi u cilësua si simbol i qëndresës ndaj diktaturës komuniste edhe nga përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, pushtetit vendor dhe Dioqezës së Rrëshenit. Ata kërkuan më shumë angazhim institucional për ruajtjen e këtij monumenti të kujtesës, i cili prej vitesh vijon të degradohet.

Në shenjë mirënjohjeje për jetën e tij të përkushtuar dhe dëshminë e besimit përballë persekutimit komunist, Kardinalit 98-vjeçar iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit.

Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV. Në mesazhin e tij, Papa e cilësoi Spaçin një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë. Ai theksoi se kujtesa e atyre që vuajtën dhe humbën jetën në këtë kamp duhet të mbetet e gjallë, si një thirrje për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, lirisë dhe paqes.

Kremtimi në ish-burgun e Spaçit u mbyll me lutje për viktimat e diktaturës komuniste dhe me një apel të përbashkët që historia e këtij vendi të mos harrohet kurrë, por të shërbejë si kujtesë për brezat e ardhshëm dhe si dëshmi e triumfit të besimit mbi dhunën dhe persekutimin.