Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, shatërvanët, çezmat publike dhe pikat e furnizimit me ujë marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm për qytetarët.
Në ditët më të nxehta të korrikut, ne pyetëm qytetarët se sa të dobishme janë këto pika freskimi. Shumica vlerësojnë se ato janë një ndihmë e rëndësishme për t’u hidratuar dhe për t’u freskuar gjatë lëvizjes në qytet, por njëkohësisht kërkojnë që numri i tyre të shtohet.
Shkodra, veçanërisht në zonën qendrore, ofron disa pika të tilla ku qytetarët mund të pinë ujë ose të freskohen. Disa janë çezma publike, ndërsa të tjera janë ndërtuar nga Myftinia e Shkodrës, duke u shërbyer çdo ditë kalimtarëve dhe vizitorëve.
Megjithatë, jo të gjitha janë funksionale. Shatërvani publik pranë lulishtes së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, për shembull, nuk ishte në funksion, duke mos e përmbushur rolin e tij pikërisht në një periudhë kur temperaturat janë në nivelet më të larta.
Në tërësi, qyteti ofron disa mundësi për t’u freskuar gjatë verës, por qytetarët vlerësojnë se shtimi i çezmave publike dhe mbajtja në funksion e të gjitha shatërvanëve do ta bënte më të lehtë përballimin e ditëve të nxehta, si për banorët ashtu edhe për turistët që vizitojnë Shkodrën.
