Malet janë një nga pasuritë më të çmuara të natyrës shqiptare, ndërsa Alpet vijojnë të jenë ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj. Krahas rritjes së numrit të vizitorëve, shtohet edhe nevoja për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror.

Udhërrëfyesi turistik Kastriot Faci shprehet se turistët e huaj tregojnë një nivel më të lartë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës, duke respektuar rregullat dhe duke mos lënë mbetje gjatë vizitave në zonat malore.

Edhe aktivistja e natyrës, Nermin Shurdha, vlerëson se mbrojtja e Alpeve është një përgjegjësi e përbashkët. Sipas saj, ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe vizitorëve është thelbësor për ruajtjen e këtij thesari natyror edhe për brezat e ardhshëm.

Alpet shqiptare vazhdojnë të tërheqin çdo vit mijëra vizitorë falë peizazheve mahnitëse, shtigjeve turistike dhe bukurisë së tyre të veçantë, ndaj ruajtja e pastërtisë së tyre mbetet një detyrë e përbashkët për të gjithë.