Veprimtaria përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së bas‑baritonit të shquar shqiptar Lukë Kaçaj u mbajt më 1 korrik 2026, me organizimin e Qendrës së Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Takimi, me praninë e studiuesve, artistëve dhe familjarëve, u zhvillua në kuadër të 100‑vjetorit të lindjes së artistit, me synimin për të vlerësuar dhe evidentuar kontributin e jashtëzakonshëm të tij në zhvillimin e artit lirik shqiptar, interpretimet e spikatura skenike e koncertale, si dhe trashëgiminë e çmuar artistike e kulturore që ai ka lënë në kujtesën kombëtare.
Aktiviteti u moderua nga dr. Kreshnik Duqi, i cili nënvizoi traditën e krijuar nga Qendra e Studimit të Arteve për të kujtuar artistët që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme. Ai e vlerësoi Lukë Kaçajn si një nga figurat më të mëdha të artit lirik, që me zërin e tij të rrallë la gjurmë të pashlyeshme në historinë e operës shqiptare.
Hapja e veprimtarisë u bë me interpretimin e një fragmenti muzikor nga Lukë Kaçaj në filmin “Skënderbeu”. Më pas drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve akad. Stefan Çapaliku, iu referua kujtimeve të takimit të parë me Lukë Kaçaj, gjatë viteve të diktaturës, të cilin e njohu në rrethana krejtësisht atipike për një artist të madh si ai. Duke shprehur keqardhjen që nuk e pati njohur kurrë në skenë, por fati e deshi që një ditë ta kishte bashkudhëtar në tren, akad. Çapaliku rrëfeu takimin dhe bisedat e veçanta me Lukë Kaçaj, duke e vënë theksin tek personaliteti i palëkundur i artistit, talenti i shumëpërfolur dhe harresa e ndëshkimet e pamerituara që i bëri diktatura.
Veprimtaria vijoi me përshëndetje muzikore nga sopranoja Eva Golemi dhe pianistja Herta Cane, të cilat interpretuan veprën “Dielli ka perëndue” të Prenkë Jakovës. U shfaq gjithashtu dokumentari i shkurtër “Me artistin e madh, Lukë Kaçaj – Nderi i Kombit”. Më pas, sopranoja Eva Golemi dhe baritoni Armando Lika interpretuan veprën “Kur perëndon Dielli” të Leonard Dedës, të shoqëruar në piano nga Herta Cane.
Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit të Arteve pranë saj, mbajti fjalën përshëndetëse. Ai vendosi krijimtarinë dhe dënimin e Lukë Kaçajt në kontekstin e diktaturës, duke përmendur edhe emra të tjerë artistësh të shquar që u persekutuan. Akad. Tole përshkroi udhëtimin artistik të Kaçajt, jetën e tij në skenë dhe jashtë saj, rikthimin prekës në Teatrin e Operës dhe Baletit pas rënies së diktaturës, si dhe kalvarin e vuajtjeve që ai përjetoi. Ai foli më tej për vendin që zënë interpretimet dhe individualiteti artistik i Lukë Kaçajt në historinë e muzikës shqiptare.
Aktiviteti përkujtimor vijoi me kujtime të bashkëkohësve dhe familjarëve. Familjarët e Kaçaj falënderuan Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për nderimin që i bëjnë artistëve, e sidomos atyre të persekutuar nga diktatura. Veprimtaria u mbyll me interpretimin e këngës “Hej ju male” të Çesk Zadejës nga Armando Lika (bas), i shoqëruar në piano nga Herta Cane.
