Me një ceremoni të veçantë liturgjike është shuguruar dhe i është kushtuar Lumit Gjon Gazulli Kisha e Fushës së Druve, duke shënuar një moment të rëndësishëm për komunitetin katolik dhe për Arqidioqezën Shkodër-Pult.

Mesha solemne u kremtua nga Arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine. Gjatë ceremonisë u bë shugurimi i elterit, bekimi i punimeve restauruese të kishës, si edhe bekimi me reliket e Lumit Gjon Gazulli.

Në ligjërimin e tij, Imzot Giovanni Peragine u ndal te figura dhe dëshmia e Lumit Gjon Gazulli, duke theksuar se jeta dhe sakrifica e tij mbeten një frymëzim për besimtarët dhe një thirrje për të jetuar me besim, shpresë dhe përkushtim ndaj vlerave të krishtera.

Ceremonia mblodhi dhjetëra besimtarë, klerikë dhe banorë të zonës, të cilët morën pjesë në këtë kremtim solemn, që i jep kishës një identitet të ri shpirtëror dhe historik. Kushtimi i saj në nder të Lumit Gjon Gazulli përbën një vlerësim të figurës së martirit shqiptar dhe një moment të rëndësishëm në jetën fetare të komunitetit.