Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës do të drejtohet nga Prof. Dr. Blerta Dragusha, pas dorëheqjes së rektorit Tonin Gjuraj. Emërimi i saj është firmosur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, duke ndjekur praktikën e deritanishme të kalimit të detyrës te një nga zëvendësrektorët në funksion.

Prof. Dr. Blerta Dragusha ushtronte detyrën e Zv/Rektores për Kërkimin Shkencor dhe Ndërkombëtarizimin në Universitetin e Shkodrës dhe numëron një karrierë të gjatë akademike e shkencore në institucion.

Ajo është pedagoge dhe kërkuese shkencore pranë Departamentit të Financë-Kontabilitetit në Fakultetin Ekonomik të Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku kontribuon në mësimdhënie dhe kërkim shkencor që prej vitit 1998.

Fushat kryesore të ekspertizës së saj përfshijnë Investimet e Huaja Direkte, Financën e Korporatave, Përgjegjësinë Sociale të Biznesit, Strukturën e Kapitalit dhe Menaxhimin Financiar. Gjatë karrierës akademike ka qenë autore dhe bashkautore e dhjetëra publikimeve shkencore në revista dhe botime ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrëse aktive në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Blerta Dragusha ka drejtuar Departamentin e Financë-Kontabilitetit në periudhën 2009–2016 dhe më pas Fakultetin Ekonomik si dekane gjatë viteve 2016–2024. Ajo ka marrë pjesë dhe ka koordinuar projekte të shumta kërkimore dhe zhvillimore me partnerë vendas dhe të huaj, ndërsa ka zhvilluar gjithashtu eksperienca mësimdhënieje në universitete evropiane dhe amerikane.

Me marrjen e detyrës së re, Dragusha do të ketë përgjegjësinë e drejtimit të universitetit në një moment të rëndësishëm për institucionin, pas largimit të Tonin Gjurajt, i cili dha dorëheqjen duke ngritur shqetësime mbi funksionimin e autonomisë universitare.