Bashkia e Shkodër ka reaguar ndaj përmbajtjeve të shpërndara në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si dezinformime me prapavijë politike dhe dashakeqëse, që sipas saj dëmtojnë imazhin e sezonit turistik në Velipojë.
Nënkryetari i Bashkisë, Alban Preka, u shpreh se ky sezon pritet të jetë më i suksesshëm se ai i një viti më parë, duke u bërë thirrje figurave publike që të shmangin përhapjen e dezinformatave dhe të mos e përdorin Velipojën për qëllime politike.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes së Menaxhimit të Objekteve Publike, Gjozef Kulla, deklaroi se të gjitha tualetet publike janë funksionale, ndërsa puna për përgatitjen e sezonit ka nisur prej kohësh.
Që në fillim të muajit prill, Bashkia Shkodër ka ndërmarrë një sërë masash për pastrimin e zonës ranore dhe rrugëve të plazhit, duke hartuar paralelisht një plan të detajuar ndërhyrjesh. Fokus i veçantë i këtij plani janë mbetjet inerte, të cilat sipas institucionit janë hedhur pa kriter nga disa biznese, ndaj të cilëve pritet të aplikohen masa ndëshkuese.
