Vora dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në javën e 32-të të Abissnet Superiore, në një sfidë që u mbyll 0-0, por që nuk munguan emocionet dhe episodet e diskutueshme. Të dyja skuadrat gjetën rrugën e rrjetës, por golat u anuluan që në fushë nga arbitri.
Pjesa e parë foli më shumë për vendasit, me Vorën që u shfaq më kërkuese dhe arriti të shënojë me Luis Felipe, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në fraksionin e dytë ishte Vllaznia që mori iniciativën, duke rritur presionin në zonën kundërshtare.
Kuqeblutë iu afruan golit me Çelikoviç, por tentativa e tij u anulua për prekje me dorë, ndërsa në një tjetër moment u ndalën nga traversa, duke i mohuar avantazhin. Në minutat e fundit, të dyja skuadrat nuk rrezikuan shumë, duke u dukur të kënaqura me ndarjen e pikëve.
Pas këtij rezultati, Vllaznia mban vendin e parë në renditje, të paktën edhe për këtë javë, ndërsa Vora merr një pikë të rëndësishme duke dalë përkohësisht nga zona e ftohtë, në pritje të rezultateve të rivalëve.
