Vllaznia ka siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti Bylisin me rezultatin 2-1 në stadiumin “Loro Boriçi”, në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve. Falë edhe fitores 1-0 në Ballsh, kuqeblutë e mbyllin këtë fazë me avantazh të përgjithshëm dhe vijojnë rrugëtimin drejt trofeut.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini kaloi e para në avantazh në minutën e 34-t me Bekim Balajn, duke ndezur entuziazmin e tifozëve në tribunë. Bylisi reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 38-të me Olavion, por vetëm pak minuta më vonë Vllaznia riktheu epërsinë. Në minutën e 44-t, Pusi realizoi golin e dytë për vendasit, duke mbyllur pjesën e parë në shifrat 2-1.
Në fraksionin e dytë, kuqeblutë administruan rezultatin dhe kontrolluan lojën, duke mos lejuar surpriza nga skuadra mike. Me këtë fitore, Vllaznia konfirmon momentin pozitiv dhe siguron një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Në këtë përballje, Martini zgjodhi të bëjë edhe rotacion në formacion, duke lënë në stol disa titullarë si Pohls, Krymi, Kallaku, Bajrami, Mala dhe Gjini, në prag të ndeshjeve të rëndësishme të kampionatit. Kuqeblutë vijojnë kështu garën në dy fronte, duke mbajtur gjallë objektivin për një tjetër trofe këtë sezon.
