Në Teatrin “Migjeni” në Shkodër u shfaq drama bashkëkohore “Duke pritur djalin”, e zhvilluar në kuadër të Javës Kulturore Zviceriane, që trajton marrëdhëniet familjare dhe përballjen e shoqërisë me ndryshimet e epokës së Inteligjencës Artificiale.

Shfaqja rrëfen historinë e dy prindërve që, pas largimit të djalit nga shtëpia, përballen me ankthin e pritjes dhe boshllëkun emocional, duke hyrë në dialog me Inteligjencën Artificiale si një mënyrë e re për të kërkuar përgjigje. Përplasja mes emocionales dhe racionales e shndërron dramën në një komedi të butë me nota reflektuese.

Regjisorja Anila Balla thekson se vepra synon të nxisë debat mbi raportin e shoqërisë me teknologjinë. Për aktorët shfaqja përbën një përvojë të re dhe të pazakontë interpretimi.

Me tekst nga Lorin Terezi dhe interpretime nga Merita Smaja, Astrit Fani dhe Marsel Paplekaj, “Duke pritur djalin” u shfaq në Teatrin “Migjeni”, me mbështetjen e Fondit Kulturor Zvicerian.