Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër ka shpallur fituesit e projekteve kulturore, në kuadër të Thirrjes së Hapur për mbështetjen e aktiviteteve artistike dhe kulturore për vitin 2025–2026. Pas shqyrtimit të projekteve të paraqitura, janë përzgjedhur nismat fituese për disa kategori, që synojnë gjallërimin e jetës kulturore në qytet.

Për aktivitetin “Karnevale”, fituese është shpallur Shoqata Antik. Organizimi i Karnevaleve të Shkodrës përbën një organizim tradicional që daton që prej vitit 1861 dhe që vijon të mbështetet çdo vit nga Bashkia Shkodër si një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore të qytetit. Karnevalet janë kthyer ndër vite në një festë qytetare, ku përmes satirës, sarkazmës dhe mesazheve sociale, pasqyrohen realitete të ndryshme shoqërore.

Sipas vendimit, Karnevalet 2026 sugjerohen për t’u zhvilluar nga 4 shkurti deri më 15 shkurt 2026, me synimin për të përfshirë sa më shumë grupe artistike dhe për të nxitur pjesëmarrjen e gjerë të publikut.

Në kategorinë “Aktivitete në partneritet me të tretë” janë përzgjedhur disa projekte kulturore e artistike. Shoqata Kulturore Artistike “Prenkë Jakova” do të realizojë Festivalin e Muzikës Moderne, edicioni i 9-të, me një buxhet të miratuar prej 900 mijë lekësh. Projekti “Fantazistet e artë” nga Think Creative Idea është mbështetur me 600 mijë lekë, ndërsa rrjeti i organizatave “Zëri i të rinjve” do të sjellë dramën “Katedralja”, me një fond prej 300 mijë lekësh. Projekti “24 orë nga jeta e një votuesi” nga ART AD është miratuar me 440 mijë lekë.

Në kuadër të projekteve të Teatrit “Migjeni”, për kategorinë “Pjesë Teatrorë 1” fitues është shpallur David Kodheli, me projektin “Gomerët e Trojeve”, ndërsa për “Pjesë Teatrorë 2” fituese është Dardane Nuka, me projektin “Pese fytyrat e heshtjes”. Për kategorinë “Premiere për fëmijë 1”, është përzgjedhur projekti “Offline për një ditë”, i propozuar nga Gjovalin Kolaj.

Qëllimi i projekteve të mbështetura mbetet ruajtja e traditave kulturore, nxitja e turizmit kulturor dhe pasurimi i jetës artistiko-kulturore në Shkodër. Fondi limit për këtë thirrje është 8 milionë lekë.