Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua konferenca shkencore me temë “Arti konkret i shpirtit”, kushtuar figurës së artistit të madh Lin Delija, një nga emrat më përfaqësues të artit shqiptar.

Gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi se dimensioni i Lin Delisë shkon përtej krijimtarisë artistike, duke u shndërruar në një vlerë kulturore dhe shpirtërore për shoqërinë shqiptare.

Kontributin e Lin Delisë në artin shqiptar e vlerësuan edhe studiuesit Ardian Ndreca dhe Zef Paci, të cilët u ndalën në rolin e tij si urë lidhëse mes artit, filozofisë dhe identitetit shpirtëror shqiptar.

Konferenca solli në vëmendje jo vetëm veprën artistike të Lin Delisë, por edhe dimensionin e tij njerëzor dhe intelektual, duke e paraqitur atë si një figurë që me artin e vet arriti të shprehë thellësinë e shpirtit.