Nga Qamil Gjyrezi
Para pak kohësh, muzika shkodrane ka humbur një prej figurave të saj më të çmuara. U nda nga jeta Agim Molla, i njohur si një nga “këngëtarët e fundit të ahengut shkodran” dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të kësaj tradite. Me një repertor të pasur prej mbi 400 këngësh, Agim Molla ishte kthyer në simbol të gjallë të ahengut, duke e përcjellë me një zë të pastër e të fuqishëm, ashtu siç e kishte trashëguar brez pas brezi.
Prej më shumë se 45 vitesh, Agim Molla ka qenë pjesë e pandarë e gëzimeve familjare të shkodranëve, duke i shoqëruar me muzikë dhe duke mbajtur gjallë një traditë që përbën identitetin kulturor të qytetit.
Ndarja nga jeta e Agim Mollës lë një boshllëk të madh në ahengun shkodran, por zëri dhe kontributi i tij do të mbeten përjetësisht pjesë e historisë muzikore dhe shpirtit të qytetit të Shkodrës.
Historiku i ahengut shkodran
Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm. Një rol të rëndësishëm në këtë repertor kanë luajtur këngët e ahengut shkodran, të cilat kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të shoqërojnë ditët më të rëndësishme të jetës së çdo shkodrani.
Të lindura në ambiente dhe në rrethana të caktuara historike, këto këngë kanë fituar tipare të veçanta, duke u bërë shumë të dashura për njerëzit. Ato përbëjnë tharmin e shpirtit artistik të qytetit dhe janë ndër pasuritë shpirtërore më të vyera të tij.
Këngët e ahengut, si krijim muzikor, lindën nga fundi i shekullit XVIII deri në vitet ’40 të shekullit XX. Ato u trashëguan brez pas brezi nga mjeshtrat popullorë, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tyre.
Ahengu i vjetër shkodran përmban në repertorin e tij rreth 1200 këngë, të cilat në shumicën e tyre janë ruajtur me fanatizëm si në tekst, ashtu edhe në muzikë.
Sa i takon orkestrës me të cilën luheshin, instrumentet që luanin ahengxhinjtë ishin sazja, qemania (violina), dajria etj. Në ahengun shkodran, sazja ka pasur rolin udhëheqës të melodisë dhe ka mbi 150 vjet që mbijeton bashkë me këngët e ahengut.
Shenjat, ndjenjat, emocionet dhe zëri që transmetonte Agim Molla me këngët e tij
Në vazhdim të studimit të anës emocionale dhe mesazheve që transmeton muzika, kam bërë një studim të shkurtër për këngëtarin Agim Molla. Në pjesën e parë do ta trajtoj teorikisht ndjenjat dhe emocionet që transmetonte Agim Molla me këngët e tij.
Kam zhvilluar gjithashtu dy intervista me muzikantë që kanë bashkëpunuar me të në dasma, ambiente familjare dhe në skenë: me klarinetistin e njohur Indrit Kodraliu, fizarmoniçistin Bashkim Kasemi, i cili jeton në SHBA, në Boston, dhe tastieristin Dritan Shega.
Semiotika e këngëtarit të ahengut shkodran, Agim Molla
Këngëtari Agim Molla përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të traditës vokale urbane të Shkodrës, duke mishëruar në interpretimin e tij “shenjat kulturore”, emocionale dhe identitare të ahengut shkodran.
Në këndvështrimin semiotik, arti i tij është një sistem shenjash ku ndërthuren teksti poetik, melodia, intonacioni dhe gjuha trupore.
Në interpretimin e Agim Mollës, zëri bëhet një shenjuar i ndjenjës qytetare, i dashurisë së përmbajtur dhe i nostalgjisë që karakterizon shpirtin shkodran. Timbri i butë dhe artikulimi i qartë janë shenja që përfaqësojnë elegancën dhe qytetarinë e këngës shkodrane.
Në këtë mënyrë, semiotika e performancës së tij shfaq marrëdhënien midis kulturës orale dhe kujtesës kolektive.
Ahengu, si formë e muzikës urbane tradicionale, është një tekst i hapur (Umberto Eco), ku çdo interpretim sjell kuptime të reja.
Agim Molla, me stilin e tij të përmbajtur, e kthen këngën në një diskurs shenjash identitare, një akt komunikimi midis brezave, që bart vlerat e ndjeshmërisë dhe dinjitetit shkodran.
Në planin ikonik, fytyra e qetë dhe qëndrimi i tij gjatë interpretimit përforcojnë dimensionin simbolik të ahengut si art i maturisë shpirtërore. Ai nuk këndon vetëm për dashurinë apo për Shkodrën, por për qetësinë e shpirtit qytetar, e cila përmes muzikës bëhet mesazh universal.
Prandaj, në analizë semiotike, Agim Molla është një “shenjuar” i kulturës shkodrane, ku çdo notë, çdo frymëmarrje dhe çdo heshtje ndërmjet vargjeve mbart një kuptim të thellë estetik dhe antropologjik: një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe shpirtin e qytetit përmes artit të këngës.


Intervistë me klarinetistin Prof. Indrit Kodraliu, fizarmoniçistin Bashkim Kasemi dhe tastieristin Dritan Shega
Bashkim, kur keni filluar të luani në instrumentin e fizarmonikës dhe kush ka qenë mësuesi juaj i parë?
— Kam filluar të luaj në instrumentin e fizarmonikës në mënyrë autodidakte në vitin 1968, dhe më kanë mësuar fizarmoniçisti Xhevat Durraj dhe Skënder Tahiri. Kam filluar të luaj pa ditur notat, ose siç thotë populli “me vesh”.
A keni luajtur në dasma ahengun shkodran dhe si është pritur nga dasmorët pjesëmarrës?
— Ahengu shkodran është pritur shumë mirë prej shkodranëve. Dasmorët këndonin në dasma dhe merrnin pjesë me orkestrën.
Me cilët instrumentistë keni luajtur në orkestër në atë periudhë?
— Fillimisht kemi qenë vetëm unë me fizarmonikë dhe Agimi me dajre, duet. Më vonë kemi luajtur me të birin e Zef Kolecit, klarinetistin Gjovalin Koleci. Pas viteve ’70 shkuam ushtarë. Gjatë shërbimit ushtarak ishim me Agimin në një repart dhe luanim muzikë bashkë. Pas lirimit nga ushtria në ’73, kemi luajtur në dasma me Agim Mollën.
Kur e keni takuar për herë të parë Agim Mollën dhe çfarë mendimi keni për zërin dhe interpretimin e tij të ahengut shkodran?
— Siç thashë më sipër, para viteve ’70. Kur u kthyem nga ushtria, vazhduam të luanim bashkë në dasma. Duhet të shtoj se kemi luajtur 24 orë rresht aheng në një dasmë te B. Gucia. Familjarët tanë kishin dalë nëpër Shkodër dhe po na kërkonin. Së bashku me ne luanin Jak Vokrri në violinë, Gjovalin Koleci në klarinetë, Luigj Fierza në kitarë dhe Bashkim Barbullushi në klarinetë.
Po klarinetistin e njohur Prof. Indrit Kodraliu, kur e keni takuar?
— Indritin e kemi takuar në vitin 1995, kur ishte student. I pëlqente shumë muzika shkodrane dhe luante me ne me pasion.
Indrit, kur keni filluar të merrni pjesë në dasma?
— Kam filluar të luaj në klarinetë në dasma që në moshën 16-vjeçare, në vitet 1989–1990.
Cilat kanë qenë raportet tuaja artistike me këngëtarin Agim Molla?
— Raportet me të kanë qenë shumë të mira dhe profesionale. Kam mësuar shumë këngë shkodrane të vjetra prej tij dhe prej Bashkimit.
Në çfarë tonaliteti i këndonte Agimi këngët e ahengut?
— Ai i këndonte në tonalitete me shumë diezis. Këngët i këndonte në Fa diezis, Si maxhor dhe minor.
A i trajtonte mirë këngët në karakter, si ato të vjetrat?
— Si askush tjetër. Ai i këndonte me shumë pasion dhe dashuri.
Bashkim, çfarë mendoni për të ardhmen e ahengut shkodran?
— Uroj që ta vazhdojnë të rinjtë, muzikantët dhe instrumentistët e rinj.
Çfarë duhet të bëjnë këngëtarët dhe instrumentistët e rinj për ta ruajtur ahengun të pastër?
— Duhet t’i këndojnë këngët origjinale, me tekstet e tyre të vërteta.
Indrit, a mendoni se nxënësit e shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” duhet të mësojnë këngët e ahengut?
— Si program shkollor nuk e kanë, por duhet ta ruajnë traditën tonë duke bashkëpunuar me mësuesit dhe muzikantët e qytetit. Agim Molla la një trashëgimi shumë të pasur dhe ndikoi tek brezat e rinj të ahengut shkodran.
Bashkim Kasemi jeton sot në SHBA, në Boston. Ai është 73 vjeç. Nuk merret më me muzikë, por dëgjon ende këngë shqiptare. Bashkimi ruan disa libra me tekste këngësh të vjetra, dhuratë nga Adem Mani (1907–1983), që ka luajtur në instrumentin e dajres dhe ia ka dhuruar atij librat e ahengut.
Intervistë me tastieristin dhe fizarmoniçistin Dritan Shega
Dritan, kur keni filluar të merreni me muzikë? A keni filluar me fizarmonikë apo me sintetizator?
— Kam filluar të merrem me muzikë që 16 vjeç, në vitin 1995. Mësimet e para në fizarmonikë i mora me Zija Dragovojën, që më mësoi notat dhe akordet, domethënë solfexhin dhe bazat muzikore.
Si mendoni, a është më mirë të shoqërohen këngët e ahengut me fizarmonikë apo me organo?
— Këngët e ahengut luhen më mirë me fizarmonikë. Organon e kam përdorur për arsye praktike në dasma dhe evente familjare.
Kur e keni takuar për herë të parë Agim Mollën dhe kur ka filluar bashkëpunimi?
— E kam takuar 17 vjet më parë, në vitin 2004, në një dasmë vajze te ish-SMT-ja e Shkodrës. Ishte hera e parë që luanim bashkë.
Agimi nuk dinte solfexh. Si e gjenit tonalitetin e këngës që këndonte ai?
— Ai kishte vesh shumë të mirë muzikor. I përmendte tingujt e parë të akordeve: La, Si, Fa diezis etj., dhe e ndjente kur nuk ishte në tonalitetin e duhur. Fillonte vetë këngën dhe unë i shkoja pas. Kishte “vesh të brendshëm”, siç thonë mjeshtrat.
Cilat këngë të ahengut të Shkodrës i këndonte me më shumë dëshirë?
— Këngët shkodrane të vjetra: “Hallall u shofsh moj karahase”, “Shabanaga del në derë” e disa këngë “ashikësh”, siç thotë populli.
Me cilët instrumentistë të tjerë keni bashkëpunuar?
— Kam bashkëpunuar me shumë instrumentistë, ndër ta edhe me profesor Indrit Kodraliun.
Çfarë mendoni për të ardhmen e ahengut dhe me cilët këngëtarë po bashkëpunoni sot?
— Aktualisht nuk kam ndonjë emër të veçantë, por do të bashkëpunoj me këngëtarë që njohin mirë muzikën shkodrane. Ahengu duhet të ruajë origjinalitetin, jaret dhe 12 mekamet, si dhe të ruhet teksti e melodia e këngëve.
Ku banoni aktualisht dhe si veproni në dasma, në mëngjes kur merret nusja?
— Jam 46 vjeç, nga Mëlgusha, prej nga është edhe këngëtarja e njohur Alma Velaj. Sot, në dasma, kur merret nusja, luaj me fizarmonikë, shoqëruar nga instrumente të tjerë perkusioni: dajre, tarabuk dhe klarinetë.
