Ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja tronditi opinionin publik. Por në rrjetet sociale, përveç dhimbjes dhe indinjatës, u shfaq edhe një tjetër realitet: gjuha e urrejtjes. Shumë komente u kthyen në justifikime për autorin, duke nxjerrë në pah një problem të thellë të shoqërisë moderne.

“Rrjetet sociale janë bërë “fusha e shfryrjes” së tensioneve të përditshme. Mungesa e kontrollit dhe ndjenja e anonimatit i nxit njerëzit të shprehen pa filtra”, sipas psikologut Fatjon Taipi. Fjala është mjeti më i fortë i komunikimit njerëzor dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet edhe në shoqërinë tonë.

Ekspertët e medias dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në rrjet, sidomos në raste tragjike. Edhe vetë rrjetet sociale kanë mekanizma për raportimin e komenteve të dhunshme, por ndërgjegjësimi mbetet ende i ulët.