Periodiku letrar i vetëm që vijon të botohet në kryeqendrën e veriut, “Pena e Shkodrës”, po shënon një dekadë jetë. Fillesat e saj datojnë rreth dhjetë vite më parë, kur shkrimtarët Skënder Temali dhe Zija Vukaj publikuan numrin e parë të këtij botimi kulturor.
Sot, revista përgatitet për daljen e numrit të 10-të, falë mbështetjes së Bashkisë Shkodër dhe kujdesit të Kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve, Zija Vukaj. Ai e përshkruan këtë periudhë si një dekadë të mbushur me emocione e përkushtim ndaj fjalës së shkruar.
Numri i ardhshëm pritet të sjellë një larmi zhanresh letrare si: poezi, tregime, ese dhe studime letrare duke ruajtur profilin e saj si hapësira më e rëndësishme për krijimtarinë shkodrane bashkëkohore.
Përmes çdo numri, revista “Pena e Shkodrës” mbetet një platformë e mendimit krijues duke mbajtur gjallë traditën e kulturës së fjalës në Shkodër.
