Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një përditësim mbi vijimin e punimeve në Teatrin “Migjeni” në Shkodër.
Ai bëri të ditur se falë investimit të financuar nga MEKI, aktualisht po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit. Në vijim, do të rishikohen edhe impiantet elektroteknike të skenës e rrjetit, ndriçimit dhe sigurisë, ndërsa teatri do të pajiset me ndenjëse të reja për publikun.
Sipas ministrit Gonxhja, ndërhyrjet do të garantojnë kushte optimale për ndjekjen e shfaqjeve, rritje të komoditetit për spektatorët dhe artistët, si dhe terren të përshtatshëm për organizimin e më shumë ngjarjeve kulturore, me një rritje të parashikuar prej 30% çdo vit.
“Shkodra, djepi i kulturës, ka qenë gjithmonë në pararojë të zhvillimeve kombëtare. Restaurimi dhe modernizimi i Teatrit ‘Migjeni’ është një hap i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të qytetit,” – u shpreh ministri.
Statusi i plotë në Facebook
📍Mirëmëngjes nga Teatri “Migjeni”, në Shkodër, me vijimësinë e punimeve ku falë investimit të financuar nga MEKI, po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit, ndërsa shumë shpejt do të rishikojmë impiantet elektroteknike të skenës e rrjetit, ndriçimit dhe sigurisë, si dhe mobilimin e teatrit me 🪑ndenjëse të reja.
✅ Po krijojmë kushte optimale për frekuentimin e teatrit;
✅ Po rrisim komoditetin e spektatorëve dhe artistëve;
✅ Po përgatisim terrenin për zhvillimin e më shumë ngjarjeve kulturore, me një rritje të pritshme prej 30% çdo vit.
Shkodra, “Djepi i Kulturës”, ka qenë gjithmonë në pararojë të zhvillimeve kulturore kombëtare, duke ruajtur dhe promovuar identitetin e saj historik e artistik. Restaurimi dhe modernizimi i Teatrit “Migjeni” është një hap i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të qytetit.
