Drejtues të Bashkisë Shkodër dhe Këshillit Bashkiak kanë nderuar sot 79-vjetorin e Kryengritjes së Postribës, duke vendosur kurora me lule në kujtim të kësaj ngjarjeje historike. Data 9 shtator kujtohet si një moment i rëndësishëm i qëndresës antikomuniste dhe i përpjekjeve për liri e demokraci në vend.
Më 9 shtator 1946, banorët e Postribës dhe zonave përreth, të pakënaqur me vendosjen e regjimit komunist, sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës me qëllim lirimin e të burgosurve politikë. Revolta u shtyp me dhunë dhe pasoi me një valë dënimesh të rënda: 9 kryengritës u ekzekutuan, 4 u dënuan me burgim të përjetshëm dhe 6 të tjerë morën dënime nga 15 deri në 20 vite burg.
Edhe pse nuk arriti qëllimin, Kryengritja e Postribës mbetet një simbol i guximit dhe i qëndresës kundër diktaturës komuniste, duke hyrë në historinë e Shqipërisë si një akt i fuqishëm rezistence.
