Prej më shumë se 30 vitesh, infermierja Vjollca Vocaj është një figurë e njohur pranë Qendrës Shëndetësore të Velipojës. E gatshme në çdo moment për të ndihmuar pacientët, ajo ka qenë mbështetja e qindra pushuesve dhe banorëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, sidomos gjatë sezonit veror.

Ky vit është më i vështirë për të, pasi është i pari pa bashkëshortin, Fredi Vocaj, i cili shërbeu mbi 40 vite si shofer ambulancë dhe u nda nga jeta në krye të detyrës. Vjollca rrëfen se ata kanë qenë gjithmonë krah njëri-tjetrit, në punë dhe në jetë, të bashkuar nga një mision i përbashkët: shpëtimi i jetëve.

Sot, ajo e vazhdon këtë rrugë me përkushtim të njëjtë, duke e konsideruar shërbimin ndaj njerëzve si një amanet të shenjtë nga bashkëshorti. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, e ka ndarë historinë e saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një shembull frymëzimi për të gjithë.