“Shkodra është qyteti më i bukur”, kështu e nisi mbrëmjen e tij këngëtari i njohur Ledri Vula, duke përshëndetur mijëra qytetarë dhe vizitorë që kishin mbushur sheshin para Bashkisë Shkodër mbrëmjen e së enjtes.

Me energjinë karakteristike dhe hitet që publiku i këndoi njëzëri, Ledri ndezi atmosferën, duke e kthyer natën në një festë të madhe për qytetin.

Drejtorja e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, u shpreh se që nga nisja e sezonit veror, qyteti ka përjetuar një seri eventesh festive të jashtëzakonshme. Sipas saj, edhe në ditët dhe javët në vijim, në çdo zonë turistike të Shkodrës do të organizohen koncerte dhe aktivitete me emra të njohur të artit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Koncertet e verës të organizuara nga Bashkia Shkodër pritet të mbeten epiqendra e argëtimit të këtij sezoni, duke u kthyer në një skenë të hapur ku muzika, kultura dhe turizmi bashkohen.