Luçe ishte qenushja e vogël që gjendej në qytetin e Lezhës dhe që u shpetua para 8 viteve. Ajo ishte e verber dhe dukej e pashpresë për të mbijetuar në rrugë.

Morena, një vullnetare në Itali, vendosi ta bënte pjesë të families së saj. Luçe ishte me fat pasi në Itali rezultoi që kishte probleme shëndetësore që do të ishin të pamundura të trajtoheshin në Shqipëri.

Sot, Luçe gëzon shëndet të plotë dhe ndonëse është e verbër, ajo bën një jetë normale.

Luçe është vetëm një ndër qindra qenushët që organizatat animaliste kanë shpëtuar pa bujë e pa rrahje gjoksi nga çdo cep i Shqipërisë në gjithë këto vite. Atje ku ata kanë patur mundësi të ndihmojnë, e kanë bërë gjithmonë pa u ndjerë.

Por realisht është për të ardhur keq teksa sheh një gjuhë shpesh herë urrejtjeje, shpifje, zilie e smire mes vullnetarëve të kafshëve dhe është e trishtueshme të shohësh se sa shumë përpiqen disa “kafshëdashës” të njollosin dhe poshtërojnë aktivistët e tjerë duke dashur të ndërtojnë “suksesin” e tyre duke njollosur të tjerët.

Këta elementë i kanë bërë jo pak dëm kauzës së kafshëve në këtë vend, pasi ka njerëz që ndikohen nga ato çka thuhen lart e poshtë dhe sigurisht të vjen keq, pasi vullnetarët që kujdesen për kafshët nuk janë të shumtë në numër por shumica e tyre bën një punë të jashtëzakonshme që pak e imagjinojnë.

Në këtë kauzë secili bën atë që mundet në mënyrën që gjykon më të mirë. Kauza e kafshëve është multidimensionale dhe mënyrat e mundësitë për të ndihmuar janë të ndryshme.

Por të gjithë ata kanë një mision të përbashkët: të promovojnë mirëqenien e kafshëve dhe t’u mundësojnë atyre të kenë një të ardhme më të mire. Kjo realizohet duke mbështetur njëri-tjetrin pasi vetëm në këtë formë mund te vijë ndryshimi në jetën e tyre. Në këtë mënyrë vjen si domosdoshmëri eleminimi i gjuhës së urrejtjes dhe respektimi i punës së të gjithëve pasi kështu mund dhe duhet t’i jepet “zë” kauzës.