“Ritual Piano Improvisation Festival” mbylli edicionin e tij të tretë në teatrin “Migjeni” me koncertin e një prej pianistëve më të njohur italianë Fabrizio Ottaviucci. Koncerti i kësaj nate erdhi me një konotacion mistik dhe me dinamika të forta.
Ottaviucci thotë se një pjesë e materialeve muzikore luhen për herë të parë.
“Publiku do të njihet me disa nga pjesët muzikore të viteve ‘900 dhe të kompozitorëve që kanë qenë shumë pak të njohur por që kanë dhënë shumë për muzikën klasike me krijimet e tyre të cilat kanë bërë histori duke nisur nga John Cage e të tjerë. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe ndonëse jemi afër gjeografikisht kemi edhe dallime duke nisur nga gjuha por njerëzit këtu duken vërtetë të veçantë.” – thekson pianisti Ottaviucci.
Robert Bisha, ideuesi i festivalit vlerëson atë që ky festival tregoi në këtë edicion të tretë.
Ky koncert u mbështet nga Instituti Italian i Kulturës ku i pranishëm ishte edhe drejtori i saj Alessandro Ruggera.
“Jam shumë i kënaqur që kemi mundësi të mbështesim këtë festival që bazohet në muzikën improvizuese pianistike, tepër cilësore si dhe me një pianist si Fabrizio Ottaviucci që mbetet një nga figurat më të shquara të muzikës kontemporane.” – shprehet Ruggera.
Koncerti vijoi me pjesë nga veprat e kompozitorëve që kanë patur ndikimin e tyre në muzikën botërore dhe ndryshimin radikal të saj.
