Ajo quhet Laika, por emri i saj i vërtetë është Kudrjavka dhe 66 vite më parë e lëshuan në hapësirë. Atë e kapën nëpër rrugët e Moskës. E zgjodhën sepse ishte e qetë, e bindur dhe madhësia e trupit të saj ishte fiks për kapsulën Sputnik dy. I dhanë me vete bukë dhe ujë. Misioni nuk parashikonte kthimin gjallë të saj. Për Laikën ishte një dënim me vdekje. Hapësira e brendshme e satelitit ishte aq e ngushtë sa ajo mund të qëndronte vetëm në këmbë.
Temperatura e brendshme ishte e fiksuar 15 gradë nëpërmjet një sistemi ftohës i cili duhej të mbronte kafshën e gjorë nga mbingarkesa të tepërta termike. Më datë 3 nëntor në orën 2 të natës, Sputnik 2 u lëshua në hapësirë. Me shumë gjasa Laika ka mundur të mbijetojë 7 orë, por disa burime mbështesin faktin që agonia e saj ka qenë më e gjatë, rreth katër ditë. E vetme, në hapësirë.
Sateliti u rikthye në atmosferë me 14 prill të vitit 1958, pas 5 muajsh nga nisja dhe pasi kishte bërë 2570 rrotullime përreth tokës. Me kthimin në atmosferë, sateliti u shpërbë. Për çdo vit në vjeshtë, më kujtohet kjo histori me një ndjenjë faji për atë çka i bëmë Laikës. Përparimi njerëzor shpesh është arritur në kurriz dhe sakrifica të kafshëve të cilat nuk kishin lidhje fare me dëshirën tonë të supremacisë.
Shumë besojnë se ky ishte një çmim i pranueshëm për arritjet tona njerëzore, por është e qartë që kjo që i bëmë asaj qenusheje të gjorë, ishe një makabritet të cilin mund ta kishim shmangur duke zgjedhur një rrugë tjetër. Më vjen keq që njerëzimi të zhgënjeu Laika. U rrite e vetme nëpër rrugë dhe të detyruan të japësh shpirt e vetme, e mbyllur në një kapsulë, mijëra kilometra larg tokës.
Këtë do ta quaj turpin e njerëzimit. Ky krim i shëmtuar dhe pashpirt nuk vlen e nuk barazohet me asnjë shpikje. Të përfitosh nga dobësia dhe pafajësia dhe padija e një kafshe, ta presësh në besë. Kjo është poshtërsia e njeriut. Le të merrnin një njeri me dëshirën e tij vetësakrifikuese ose hiç fare. Nëse çmimi i shpikjeve është ky, nuk i dua. Jetohet edhe pa shkuar në Hënë dhe në Mars.
