Ka nisur zyrtarisht edicioni i XIV i “Shkodra Jazz Festival”, evenimentit kulturor që mbahet prej vitesh përgjatë muajit gusht në Shkodër. Në qendrën rinore “Atelie” instrumentistët, të ndarë në klasa të ndryshme po bëjnë përgatitjet e nevojshme përpara nisjes së turit të koncerteve në shesh. Dy klasat e para që e nisën ishin “Rrok Academy Junior” dhe “Rrok Academy Accordion”.
Drejtori Artistik Florian Jakaj, thotë se edhe për këtë vit festivalin e pret një kalendar i pasur artistik teksa paralelisht zhvillohet edhe edicioni i VI i “Shkodra Sounds”.
Edhe në këtë edicion do të vazhdojë turi lëvizës i festivalit teksa kësaj here është zgjedhur Rumania si pjesë e “Shkodra Jazz on Tour”.
Koncerti i parë i “Shkodra Jazz Festival” për publikun do të zhvillohet në datën 19 gusht në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës.
