Në teatrin “Migjeni” u shfaq mbrëmë premiera “Hekuba” me regji të Enke Fezollarit. Interpretimit të aktorëve profesionistë të trupës së teatrit të Shkodrës iu shtuan edhe aktorja e mirënjohur Vefi Redhi që prej vitesh jeton në Athinë si dhe aktori Adem Karaga, njëkohësisht drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Falë aftësive regjisoriale “Hekuba” e bazuar në veprën e Euripidit dhe e përkthyer në shqip nga Eleana Zhako erdhi si një përshtatje dhe ndërthurje e tragjedisë së antikitetit grek me rite tradicionale të malësive tona të veriut teksa pjesë e kostumografisë ishte edhe xhubleta e lashtë.
Në rolin e protagonistes në skenë, aktorja dhe drejtuesja e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka ndalet tek mesazhi i shfaqjes që është emigrimi si plagë e shoqërisë.
Shfaqja u luajt në dy gjuhë: shqip dhe greqisht ndërsa regjisori Enke Fezollari e lidh këtë detaj me globalizmin dhe shtetin ku jeton prej shumë vitesh Greqinë.
Tragjedia “Hekuba” do të vijojë të shfaqet në teatrin “Migjeni” edhe përgjatë mbrëmjes së sotme.
