Tarti ka qenë qeni i njohur që jetonte me ish të burgosurit politik të Spaçit deri në ditët e Revoltës së famshme. Historia e tij është një roman më vete.

Në faqet e librit “Baladë për Tartin e Spaçit” Hysen Haxhiaj tregon se Tarti flinte me të burgosurit, në të njëjtin kapanon, gjithmonë poshtë krevatit të ndonjë të burgosuri dhe çdo natë ai ndërronte vendin e fjetjes si për t’u bërë qejfin të gjithëve nga pak dhe si për ta ndarë dashurinë dhe mirënjohjen e tij me të gjithë.

Autori kujton me emocione vetitë e këtij qeni, madje edhe rastet e kumteve të këqija të të burgosurve që ai i parandiente: “Ne i parandienim se dikujt nga ne do t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi familjare, pasi telegramet që na i nisnin ata të shtëpisë, mbaheshin në komandë me ditë të tëra. Mbaj mend kur Hakiut i kishte vdekur nëna dhe ata të komandës nuk na kishin treguar akoma. Tarti kishte qarë me zë dhe lehte tërë natën e natës poshtë krevatit të tij…”

Atë të burgosurit e shihnin dhe e trajtonin në mënyre të veçantë, si djalin e tyre të vetëm dhe secili i jepte nga një kafshatë nga 600-gramëshi i tyre i bukës së hidhur të izolimit dhe dhunimit total. Kështu Tarti ishte rritur me kujdesin dhe përkëdheljet e njerëzve që nuk e ngopnin barkun me bukë. Ashtu si e donin, edhe Tarti i ndihmonte këta njerëz, sipas mënyrës së tij. Për të këta njerëz flisnin si për një njeri të dashur dhe të shtrenjtë dhe Tarti megjithëse nuk merrte pjesë në rreshtim apo në apele, ishte atje i pranishëm mes tyre si një dhuratë e mëshirës qiellore…
Dhe më pas, një ditë, ai u kthye në një hero të vërtetë, një yll jete e frymëzimi në revoltën e Spaçit.

Kur forcat e policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë filluan të rrihnin dhe të godisnin të burgosurit me leva, me bishta kazmash dhe lopatash, Tarti qante dhe ofshante si njeri. Dhe në mes të lotëve që derdhte si një njeri i gjetur në fatkeqësi, ai u sul kundër dhunuesve të të burgosurve të revoltuar, duke i gjakosur policët me dhëmbët e fuqishëm… Dhe kjo përcaktoi fatin e tij tragjik e heroik. Në prezencën e të burgosurve ata e dënuan me vdekje Tartin, të vetmin mik të të burgosurve. Të cilët e vajtuan me lot atë qenie hyjnore, që u kishte puthur duart të burgosurve dhe, madje, kërkuan që ta zëvendësonin ata në litar!..

Ky simbol mitik tashme eshte vendosur mbi nje prej taracave, ku duket se ai vazhdon ta risjelle ne memorie gjithcka ka ngjare ne ate vend ferri!)