Sa herë që afrohet Viti i Ri, mendja gjithnjë më shkon te shkrimi, skica e Migjenit: “Urime për 1937”. E di që këtë ndjenjë e kanë edhe shumë të tjerë. Më kujtohet në vitin 1987, me rastin e 50 vjetorit të këtij shkrimi, gazetari Ali Sutaj e ka botuar një shkrim në gazetën “Rilindja” të Prishtinës. Ky Shkrim i Migjenit në shikim të parë të duket një shkrim i thjeshtë, i rendomtë, por mjaft domethënës me nënkuptime figurative e filozofike tipike migjeniane.

“Shok i dashtun un përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen nji për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota këtë e din, por njisoj vazhdon të shkruej urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja. Por kësaj here due të hy në radhën e njerëzve korrektë dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937…

Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.

Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht. Migjeni, Urim për vitin 1937″.

Kështu shkruante, kështu uronte Migjeni 86 vite më parë. Me një ironi e sarkazëm të hollë u uronte shokëve të tij gjumë të ëmbël që të mos i shihnin vuajtjet e njerëzve rreth tyre, ta ndien veten të gëzuar edhe kur nuk duhej të ndiheshin të gëzuar, kur vuanin në rrethanat e vështira shoqërore e ekonomike të asaj periudhe. Ishte pikërisht ajo natyra e ndieshme e qenjes së Migjenit, ajo ndjenja e dhimbjes për vuajtjet e të tjerëve që edhe në raste të tilla gazmore të ndërrimit të motmoteve nuk e linte atë të qetë, të patrazuar, indifferent. Në ndërrimin e motmoteve njerëzit shpresojnë se gjëra të mira do të ndodhin në jetën e tyre në Vitin e Ri, si në botën magjepse të përrallava e legjendave të lashta. Por koha si kuptim fizik vetëvetiu nuk sjell asgjë, është vetëm një lëvizje qarkore e monotone që përseritet e përseritet ndër vite, shekuj e mijëvjecarë. Kohën e bëjnë njerëzit, botën e ndryshojnë njerëzit, për të mirë apo për të keq. Janë veprimet apo mosveprimet e njerëzve që e përcaktojnë, e vulosin, i japin drejtimin një periudhe të caktuar historike, që ndryshojnë rrjedhat e historisë. Nganjëherë për të mirë, nganjëherë për të keq.

Nga viti 1937, kur Migjeni e shkroi këtë urim, dërguar në adresën e ndërgjegjes së brezave të tërë (edhe neve), është e sigurt se shumë gjëra kanë ndryshuar, por edhe shumë gjëra, cështje që e kanë shqetësuar Migjenin gjatë tërë jetës së tij të shkurtër e plot vuajtje, ende janë të pranishme në shoqerinë e sotme shqiptare. Nuk ka nevojë të hyj në imtësira se lista është tepër e gjatë dhe kam friken se mos ndoshta po dal nga tema. Prandaj, duket se ky urim nuk është shkruar para 86 vjeteve, por është shkruar dje. Urimet e familjarëve, shokëve e miqve për njëri – tjetrin janë urime të ciltëra, shprehin dëshirat për një vit të suksesshëm, plot shëndet e lumturi. Por në urimet e politikanëve, ministrave e kryeministrave, kryetarëve të shteteva që ua drejtojnë popullit, ka mjaft dyfytyrësi (hipokrizi). Premtojnë shumë në ndërrimin e motmotove, por shumë pak nga ato premtime përmbushen (realizohen). Dhe janë pikërisht këta politikanë, ministra e kryeministra, kryetarë shtetesh që kanë nevojë të ndërrojnë veten e tyre, sjelljet e tyre, sepse nga veprimet apo mosveprimet e tyre varen fatet e popullit, fatet e vendit. Në këto caste të ndërrimit të viteve uroj që politikanët, udhëheqësit tanë t’i nderrojnë sjelljet, shprehitë e tyre, të heqin dorë nga joshjet dhe lakmitë vetanake për pasuri të pakufijshme e të paligjshme e t’u rreken me përkushtim detyrave për të cilat e kanë kërkuar votën e popullit, cështjeve madhore të kombit tonë. E di që kjo nuk është një gjë e lehtë për njerëzit tanë, por ia vlen që ta provojnë pak. Ata sikur i kanë mbyllur sytë dhe nuk cajnë kokën se një pjesë e mirë e popullsisë është zhytur në skamje e mjerim.

Migjeni e ka njohur mirë filmin dhe i ka përcjellur me interesim filmat e kohës së tij, prandaj e përmend Greta Garbon në rolin e saj në filmin “Mbretëresha Kristina”. Po të kishte jetuar me shumë dhe po ta kishte parë filmin “Gone with the wind” (“Përftoi me eren”apo “Ikën me erën”, 1939) me siguri do ta kishte përmendur Scarlet O’ Haren dhe fjalinë e saj me të cilën përfundon edhe filmi: “After all, tomorrow is another day” (“Pas të gjithave (ose tekefundit) nesër është një ditë tjetër”). Edhe Jakovë Xoxa e mbyll romanin e tij, “Lumi I vdekur me thënien: “Ditë e re, shpresë e re”.

Sidoqoftë, me gjithë zemër, pa dyfytyrësi: Urime për 2017! Gëzuar!