Fundjava që lamë pas solli atmosferën e Krishtlindjeve disi më herët me koncertin që u zhvillua në katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Bashkinë e Vaut të Dejës, organizuar nga Ipeshkvia e Sapës, pjesë e të cilit u bënë Kori Dioqezan i Sapës, Ansambli i Harqeve si dhe artistë të tjerë të mirënjohur, i pasur me materiale të mira artistike çka përcolli edhe shumë atmosferë festive në prag të festës. I pranishëm në koncert ishte edhe kryetari i bashkisë Vau i Dejës Mark Babani ndërsa nuk munguan as mesazhet drejtuar rinisë dhe kujdesit që duhet treguar për këtë grup të shoqërisë.

Pjesë e aktiviteteve të fundjavës ishte edhe konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Autoportret”, i cili zhvilloi edicionin e tij të parë, i organizuar në mjediset e galerisë “Oda” me pjesëmarrjen e 60 fotografëve profesionistë.

Juria e përbërë nga Albert Vataj, Leon Nenshati dhe Niko Jakova vlerësuan me çmimin e parë autoportretin e fotografes ukrainase Alina Nilova ndërsa me çmimin special autoportretin e fotografit që ka ndërruar jetë Naim Shala.

Një lajm i bukur erdhi në fundjavë nga Ansambli i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, e cila ishte pjesë e festivalit “Kënga Qytetare na bashkon në Prizren”, i kthyer në traditë dhe ku formacioni shkodran u vlerësua me çmimin e dytë të këtij edicioni të pestë.