Për herë të parë Shkodra u bë mikpritëse e një konkursi ndërkombëtar fotografie në gjininë e autoportretit teksa në galerinë “Oda” u zhvillua edicioni i parë i tij e ku morën pjesë rreth 60 fotografë të ndryshëm nga vendi, rajoni e më gjerë.
Organizatorja e konkursit të fotografisë Rozafa Shpuza, një fotografe e spikatur pranoi vështirësinë e organizimit të këtij edicioni të parë por shprehu optimizmin për kthimin e tij në traditë.
Pjesë e jurisë ishin figura të spikatura në fushën e fotografisë në Shkodër si Niko Jakova dhe Leon Nenshati por edhe gazetari dhe publicisti Albert Vataj, teksa para se të jepnin verdiktin e tyre për çmimet, vlerësuan këtë iniciativë të bukur.
Juria vlerësoi me çmimin e parë autoportretin e fotografes nga Ukraina Alina Nilova ndërsa me çmimin special autoportretin e fotografit nga Kosova, i cili nuk jeton më Naim Shala.
Pjesëmarrësit patën mundësi të vizitonin në mjediset e brendshme të galerisë ekspozitën me fotografitë më të mira të këtij edicioni të parë.
