Siç është bërë traditë, Shkodra do të vazhdojë të ketë pjesë të organizimeve të saja kulturore festivalin “Luleborë”, një festival që këtë vit do të ketë edicionin e shtatë të tij. Teksa gjatë muajit shtator u bënë të ditura këngët pjesëmarrëse me autorët e tyre, udhëheqësi artistik edhe për këtë edicion do të vazhdojë të jetë Markelian Kapidani, i cili thotë se risitë për edicionin e ri nuk do të mungojnë teksa vlerëson në mënyrë të veçantë gjuhën e pasur muzikore të këngëve pjesëmarrëse.

Në dallim nga vitet e tjera, kësaj here përgatitjet për festivalin kanë nisur me vonesë por kjo siç thotë vetë Kapidani jo për arsye që varen nga stafi artistik. Festivali “Luleborë” do të vazhdojë të shtrihet përtej Shkodrës dhe të jetë më gjithëpërfshirës dhe ky mbetet edhe një ndër qëllimet e tij por pa iu larguar motiveve nga Shkodra.

Provat zyrtare pritet të nisin javën e ardhshme brenda ambienteve të teatrit “Migjeni” ndërsa edhe pse nuk është zyrtarizuar akoma, mendohet që festivali “Luleborë” të mbahet në datat 18 dhe 19 nëntor po në teatrin “Migjeni”.