Një fundjavë e pasur ishte ajo që lamë pas për Shkodrën, kjo për shkakun se dy ngjarje të bukura kulturore shënjuan fundin e saj dhe bëhet fjalë për një gërshetim të bukur të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” dhe Javës Kulturore Italiane ku të dyja së bashku prodhuan një agjendë të ngjeshur artistike.
“Ekrani i Artë” mbylli edicionin e tij të pestë duke i shfaqur publikut shkodran mbi 20 filma ku disa prej tyre ishin premierë por kishte edhe prej atyre që ishin të vlerësuar ndërkombëtarisht me çmime të ndryshme.
Ky event solli të ftuar të shumtë, mes tyre dhe regjizorë të njohur ndërsa në ditën e fundit nuk munguan as personalitetet si: Fabrizio Bucci, ambasadori italjan në vendin tonë, regjizorja Maddalena Bregani por edhe kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, të cilët së bashku edhe me drejtuesit e festivalit Adrian dhe Melisa Paci përshëndetën këtë ngjarje festive të qytetit.
Pak metra më larg “Ekranit të Artit” Eliza Çoba, një shkodrane që prej shumë vitesh jeton në Romë zgjodhi të prezantonte në ambjentet e gjimnazit “28 Nëntori” një material audioviziv të shkruar nga vetë ajo me titullin “Il mio zio italiano” në kuadër të javës kulturore italiane”.
Orët e mbrëmjes vijuan me një projeksion videomapping në fasadën e katedrales së Shën Shtjefnit në qytet me praninë e një publiku të gjerë në shesh ndërsa orët e vona do të mbylleshin me ritme dhe muzikë buzë liqenit, një festë kjo e organizuar nga drejtuesit e festivalit “Ekrani i Artit”.
©️ Marjo Gjini
