Një ekspozitë tepër e veçantë me punime të nxënësve të shkollës “Ismail Qemali” në bashkëpunim me ata të dy shkollave të tjera nga Italia erdhi si pjesë e agjendës së ditës së tretë të festivalit dedikuar filmit në Shkodër “Ekrani i Artit”.
Ekspozita me titull “Përrallat e Qepura”, e zhvilluar në mjediset e qendrës rinore “Arka” solli larmi punimesh që konsistonin në libra të qepur me dorë, një projekt i bazuar në punimet e artistes italiane Maria Lai dhe që fëmijët e kanë interpretuar sipas mënyrës së tyre, iniciativë e nisur që në kohën para pandemisë por e ndërprerë për shkakun e saj.
Melisa Paci, në rolin e njërës prej kuratoreve të festivalit vlerëson ecurinë e tij në tre ditët e zhvillimit të “Ekranit të Artit” dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me të gjitha institucionet në përkrahje të nismave kulturore.
Nata e tretë u zhvendos në oborrin e familjes shkodrane “Ljarja” ku u shfaqën për publikun filmat e planifikuar ndërsa mikpritësja e kësaj mbrëmje, Ana Ljarja falenderon organizatorët e festivalit që zgjodhën mjediset e hapura të shtëpisë së saj.
Festivali “Ekrani i Artit” do të vijojë me të tjera aktivitete sot në ditën përmbyllëse të tij.
©️ Marjo Gjini
