Ekspozita “Press Anima” e zhvilluar në mjediset e Galerisë së Arteve në Shkodër solli një interes të madh tek publiku i pranishëm që në ditën e parë të hapjes së saj. Detajet e qytetit e në mënyrë të veçantë të Gjuhadolit, njërës prej rrugëve më të vjetra të Shkodrës si dhe ngjyrat e çelura ishin dy nga elementët që ranë në sy në punimet e pikturës së artistes shkodrane, Denisa Brahimi. 
Pas një përkushtimi gati thuajse 8-vjeçar për të sjellë këto punime në zhanrin e pikturës, Denisa kërkon të sjellë në vëmendje mesazhin e ruajtjes së identitetit të qytetit me artin e saj. Ish-profesori i saj, Rubin Mandia, në rolin e kuratorit të ekspozitës ndan disa prej cilësive që e karakterizojnë artisten shkodrane në punimet artistike të saj. 
Sa i përket formimit të saj, artistja shkodrane, bazat e para artistike i mori në shkollën “Prenkë Jakova” ndërsa më pas ndoqi studimet në Universitetin e Arteve në kryeqytet ndërsa nga ana e krijimtarisë artistike, Denisa Brahimi ka qenë shpesh prezente përmes ekspozitave lokale: kolektive dhe personale me punimet e saj të pikturës.
©️ Marjo Gjini