Natyra ka frymëzuar sa e sa artistë duke bërë që ata të përcjellin brendësinë e shpirtit përmes artit të tyre. Të tilla janë dy vajzat që kanë zgjedhur Shkodrën për të prezantuar koleksionin me punimet e tyre të pikturës. Shkurte Ramushi vjen nga Prishtina ndërsa Leoneta Abdyli vjen nga zona e Luginës dhe më saktë, Bujanovci.
28 piktura në të cilat spikasin ngjyrat e ndezura dhe kontrastet e theksuara janë disa nga karakteristikat e përbashkëta të tyre por një sy i mprehtë mund ta kuptojë qartë se secila nga dy artistet ka cilësitë e veta që i dallojnë në punimet me bazë natyrën.
Të dyja artistet kanë një miqësi të hershme me njëra-tjetrën që nis nga vitet e studimit në fakultetin e arteve në Prishtinë dhe sikurse shprehen ato, e zgjodhën Shkodrën për të prezantuar krijimtarinë e tyre sepse ky qytet është një dashuri më vete.
Artistja nga Prishtina, Shkurte Ramushi tregon ndikimin që i ka sjellë pandemia botërore në mënyrën e të konceptuarit të artit por njëkohësisht ajo bën edhe një lloj paralelizmi të asaj që po ndodh sot në Ukrainë me atë që ndodhte dje në Kosovë.
Si një vajzë nga Lugina, natyrisht problematikat që hasin shqiptarët atje nuk janë të pakta por artistja nga Bujanovci, Leoneta Abdyli thotë se arti nuk krijon ndasi asnjëherë dhe fakti që ajo është shqiptare nuk e pengon atë ta promojë formën e artit që bën edhe në Serbi.
Ekspozita “Rreze” do të vijojë të jetë e hapur për publikun shkodran në ambjentet e galerisë “ODA”.