U zhvillua sot në një nga mjediset e teatrit “Migjeni” konferenca e shtypit për të njoftuar hapjen e sezonit të ri artistik të trupës së estradës. Ishte vetë drejtuesja e institucionit, Rita Gjeka, e rrethuar nga aktorët e tjerë të humorit, ajo që njoftoi përgatitjet paraprake për shfaqjen “Big Brother Vip Shkodra” por më parë ajo preferoi ta niste këtë konferencë me një falenderim për 3 aktorët e mirënjohur Besnik Çinarin, Drande Xhaj dhe Zef Dedën për kontributin e tyre të shquar në karrierën e gjatë.
Më tej konferenca për mediat vijoi me një tjetër figurë të njohur, Ismet Drishtin, i cili do të jetë dhe regjizori i shfaqjes “Big Brother Shkodra Vip”. Kjo shfaqje që mban për autor Armir Shkurtin ka për qëllim parodizimin e fenomeneve të çuditshme të aktualitetit dhe jetës sonë por megjithatë mesazhi mbetet edukimi në mënyrë të veçantë i brezit të ri.
Shfaqja “Big Brother Shkodra Vip” ende nuk ka një datë të saktë por është menduar të shfaqet për spektatorin shkodran në ditët e fundit të muajit mars ose në ditët e para të muajit prill.
