Berna është kryeqyteti i Zvicrës, që nga viti 1848. Qyteti i vjetër i Bernës, ruan tiparet e saja të trashëgimisë, traditat zvicerane dhe një histori të gjatë brenda një hapësire të vogël dhe kompakte. Berna shtrihet në qendër të Zvicrës, që do të thotë se ky qytet mban të drejtën e mbretërimit e të qenurit zemra e këtij vendi. 
Qyteti i vjetër i Bernës u shpall vend i Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 1983, për shkak të qendrës së ruajtur të qytetit mesjetar. Ajo është gjithashtu shtëpia e fabrikës së parë të çokollatave ‘Lindt’, njihet për legjendat e arinjve si edhe veprën më të famshme të botuar nga Albert Einstein. Pjesa malore e qytetit shijohet përmes teleferikut që mund ta merrni nga Aare, në Waben, e cila është në shërbim të vizitorëve që nga viti 1899, në një kodër me lartësi 858 metër ku përmes teleferikut do të keni mundësi të shijoni bukuritë përrallore të këtij vendi. 
Tek ndërtimet e këtij qyteti, dallohet Muzeu Historik i Bernës, që mban materiale dhe koleksione që datojnë që nga epoka e gurit. Këto objekte historike janë të ruajtura brenda një ndërtese të bukur, e ndërtuar në stilin e Rilindjes. Kur jemi tek ndërtimet, diçka e veçantë është edhe godina e Bundeshaus-it, në kopshtin e së cilës do të shihni Bundes-platz, një shatërvan me 26 cepa, që simbolizojnë 26 kantonet e  Zvicrës. Kur të vizitoni Bernën, menjëherë do ta kuptoni se pse njihet ndryshe edhe si “Qyteti i Arinjve”. Simbolet e ariut mund t’i vëreni në të gjithë qytetin: në murale, flamuj, dekorime dhe madje edhe në kullën e sahatit “Zytglogge”. 
Një fakt tjetër interesant i këtij qyteti, është se Albert Einstein, jetoi në Bernë, kur zbuloi dhe publikoi “Teorinë e Relativitetit”. Kryeqyteti i Zvicrës ndryshe njihet edhe si qytet i ujit, me burime në çdo rrugë dhe cep të tij.