Një qytet në mes dy shteteve dhe kulturave të ndryshme, Nikosia, kryeqyteti i bukur i Qipros, që duhet patjetër të jetë pjesë e listës së vendeve që duhet t’i vizitoni. Një qytet me një popullsi rreth 300 mijë banorë që jetojnë në një klimë subtropikale, me verë të thatë e të nxehtë dhe një temperaturë mesatare vjetore prej 19.7 °C. 
Qyteti ndryshe njihet edhe si Lefkosia dhe daton shumë vjet më parë, kjo dallohet edhe nga gjetjet arkeologjike nga periudha e neolitit dhe periudhat e Bizantit, përfshirë këtu edhe statujën e Afërditës. Brenda qytetit të Nikosisë, gjenden edhe muret e famshme veneciane, të periudhës së shekullit të XVI e nuk duhet kurrsesi t`ju ikë mundësia pa vizituar edhe Kishën e Faneromenit që i përket shekullit të XIX. 
Nëse vizitoni këtë qytet, mos u largoni pa eksploruar edhe tregjet lokale, ku do të mund të gjeni produkte vendase duke përfshirë edhe fruta e perime që janë të njohura pikërisht për këtë zonë të Qipros. Në këtë qytet flitet gjuha greke, por popullata ka njohuri edhe të gjuhës angleze prandaj komunikimi nuk do të jetë problem, gjithashtu duhet thënë se valuta e tregut është Euro. 
Kuzhina vendase është një shembull i shkëlqyeshëm i traditave të kuzhinës së Mesdheut. Nga kuzhinat greke dhe turke, zakonet e gatimit të ushqimit në zgarë apo supa të trasha por kuzhina italiane gjithashtu ka ndikuar në Qipro, nga e cila erdhën përbërës gatimi si: nenexhiku, kanella, borziloku, koriandri, arugula etj. Gjithashtu në Qipro përdoret shumë edhe xhenxhefili. Në përgjithësi, mund të dallohet një ndikim dominues i orientit, kjo për shkak të pranisë së specialiteteve të ëmbla me shumë erëza dhe vajra në to. 
Qipro sot është një nga vendet më të bukura dhe më të preferuara në Detin Mesdhe. Klima e butë dhe natyra e këndshme i japin pjesës tjetër një tërheqje të veçantë. Bukuritë kryesore të ishullit të Qipros janë deti, qielli blu dhe plazhet magjepsëse. Çfarë tjetër mund të jetë e nevojshme për një kalim të përsosur kohe të pushimeve?