Aaliyah njihej në skenë me emrin e saj të artit mirëpo emri i saj i vërtetë ishte Aaliyah Dana Haughton dhe lindi në vitin 1979 në Brooklyn të New York-ut. Nëna e saj, e cila ishte po ashtu këngëtare, e zbuloi talentin e vajzës së saj, Aaliyah, qëkurse ajo ishte ende një fëmijë i vogël.
Albumi i titulluar “Age Ain’t Nothing but a Number”, doli në treg, kur Aaliyah ishte vetëm 14 vjeçe dhe kaloi shkëlqyeshëm tek audienca dhe kritikët e muzikës. Ky ishte suksesi i parë i këngëtares dhe albumi arriti shitje mbi 3 milion kopje, vetëm në SHBA.
Albumi i dytë “One in a Million”, u publikua në treg në vitin 1996 dhe në të Aaliyah bashkëpunoi me Timbaland dhe Missy Elliot. Albumi rezultoi të ishte edhe më i suksesshëm se i pari, duke shitur mbi 10 milion kopje në të gjithë botën. Hiti “Are You that Somebody”, kolona zanore e filmit “Dr. Dolittle”, bëri që i gjithë planeti të dëgjojë emrin e saj! Kënga arriti numrin 21 në Billboard Hot 100 dhe fitoi nominimin e saj të parë për çmimin Grammy.
Përveç karrierës së saj të këndimit, ajo gjithashtu ka pasur karrierë të suksesshme edhe në aktrim. Aaliyah luajti në filmat: “Romeo Must Die” dhe “Queen of the Damned”, ndërsa ishte planifikuar të paraqitej edhe në trilogjinë e famshme “Matrix!”. Pas vdekjes, këngët e saj u bënë hite edhe më të mëdha, dhe në vitin 2005 u publikua një përmbledhje e këngëve të saja në një album të titulluar “Ultimate Aaliyah”.
Këngëtarja e ndjerë Aaliyah, u shua në moshën 22 vjeçare, pas rrëzimit tragjik të avionit me të cilin ajo po udhëtonte për xhirimet e videoklipit të këngës “Rock the Boat”.
