Vllaznia vijon e pandalshme në kampionat. Në javën e 31-të të “Abissnet Superiore”, skuadra kuqeblu ka mposhtur Teutën me rezultatin minimal 1-0, në një përballje të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” dhe të transmetuar në RTSH.

Takimi nisi me ritëm të lartë, ndërsa momenti vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Kevin Dodaj shfrytëzoi në maksimum një mundësi të krijuar, duke kaluar në avantazh vendasit. Në pjesën e dytë, durrsakët tentuan të reagojnë, por u përballën me një Vllazni të organizuar mirë në mbrojtje.

Situata u vështirësua edhe më shumë për Teutën në minutën e 65-të, kur Jazxhi u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të parregullt ndaj Sherif Kallakut, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë deri në fund.

Pas ndeshjes, për mediat u prononcuan trajneri i Vllaznisë Edi Martini, ai i Teutës Enkelejd Dobi, si dhe “Lojtari i ndeshjes”, Kevin Dodaj, autor i golit të vetëm.

Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në kuotën e 59 pikëve, duke krijuar një diferencë prej 5 pikësh nga ndjekësja më e afërt, Egnatia. Nga ana tjetër, Teuta mbetet në vendin e gjashtë me 38 pikë, duke komplikuar objektivat për fazën e mbetur të sezonit.