Trofeu “Agim Tafili” në çiklizëm zhvilloi etapën e saj të dytë, duke përmbyllur edhe këtë edicion të radhës të një prej aktiviteteve më të rëndësishme të këtij sporti në vend. Për kategorinë kadet, itinerari ishte Shkodër–Fishtë–Vau Dejës–Shkodër me gjatësi 64 kilometra, ndërsa për kategorinë Elitë/U23/Junior, çiklistët përshkuan një distancë prej 152 kilometrash në aksin Shkodër–Torovicë–Balldren–Bërdicë–Kallmet–Shkodër.

Fitues i etapës së dytë u shpall çiklisti i Tiranës, Olsion Veliaj, i cili arriti të dominojë garën dhe të kalojë i pari vijën e finishit. Në prononcimin e tij pas garës, ai vlerësoi nivelin e lartë të konkurencës dhe organizimin e aktivitetit.

Ndërkohë, çiklisti nga Kosova, Blerton Nuha, fitues i etapës së parë, u ndal në performancën e tij në këtë garë, duke theksuar se një incident gjatë etapës së dytë ndikoi në renditjen e tij përfundimtare.

Për rëndësinë e këtij eventi u shpreh edhe Alsid Tafili, djali i çiklistit të ndjerë Agim Tafili, i cili theksoi se kjo kupë është një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin dhe kontributin e babait të tij në çiklizmin shqiptar.

Ceremonia përmbyllëse, e shoqëruar me ndarjen e kupave dhe certifikatave për fituesit, shënoi fundin e një tjetër edicioni të suksesshëm të Trofeut “Agim Tafili”.