Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka bërë të ditur nisjen e punimeve për parkun “Dua të Luaj”, i cilësuar si një ndër investimet më të mëdha të dedikuara për fëmijët në qytet.

Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire moderne rekreative, e cila do të përfshijë fusha sportive dhe kënde lojërash, të konceptuara në një mjedis të sigurt, funksional dhe bashkëkohor. Sipas kreut të bashkisë, ky park do të krijojë mundësi të reja për aktivitete sportive, sociale dhe kulturore për të gjitha grupmoshat.

Investimi synon të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet dhe të forcojë përfshirjen komunitare, duke e kthyer hapësirën publike në një pikë takimi për familjet dhe të rinjtë.

Bashkia Shkodër thekson se projekte të tilla janë pjesë e vizionit për një qytet më të jetueshëm dhe më pranë standardeve europiane, në kuadër të iniciativës “Shkodra 2030”.