Në skenën e Teatrit “Migjeni” u ngjit shfaqja “Kukulla”, një vepër e autorit Miro Gavran, e sjellë për publikun shkodran nën regjinë dhe përshtatjen e Naser Shatrollit.

Në këtë produksion interpretuan aktorët Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari, të cilët sollën në skenë një histori të fortë emocionale dhe reflektuese mbi marrëdhëniet njerëzore në kohët moderne.

Shfaqja prek një temë aktuale dhe provokuese: raportin mes njeriut dhe një “partneri” artificial. Përmes personazhit të Mark dhe androides Stella, vepra shtron një pyetje thelbësore: a po kërkojmë dashuri të vërtetë, apo thjesht dikë që të mos na kundërshtojë kurrë?

Vepra u shfaq si një “autopsi e dashurisë” në epokën e plastikës, duke nxitur publikun të reflektojë mbi egoizmin, pranimin e tjetrit dhe mënyrën si ndërtojmë marrëdhëniet tona.