Kanë nisur punimet restauruese në Kishën Trikonshë në Kalanë e Drishtit, një monument kulture i kategorisë së parë dhe një ndër dëshmitë më të rëndësishme të arkitekturës kishtare mesjetare në vend. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Sipas tij, objekti i ndërtuar në shekujt X–XI, me një planimetri të rrallë me tre absida, prej vitesh ka qenë i lënë në harresë dhe i ekspozuar ndaj degradimit.

Ndërhyrja, e hartuar nga DRTK Shkodër, përfshin pastrimin e kontrolluar të vegjetacionit, konsolidimin e muraturave si dhe restaurimin e strukturës së gurit, duke u zhvilluar me kujdes maksimal ndaj vlerave të monumentit dhe mjedisit përreth.

Ky investim synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe rikthimin e vëmendjes ndaj një prej objekteve historike me rëndësi të veçantë në zonën e Drishtit.