Ka startuar edicioni i radhës i Kupës “Agim Tafili” në çiklizëm, një aktivitet i përvitshëm i organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, në nderim të një prej figurave më të rëndësishme të këtij sporti në vend.
Etapa e parë u zhvillua në itinerarin Fushë-Krujë – Harku i Bërdicës – Mali Kolaj – Torovicë – Balldre – Shkodër, duke përfshirë një distancë sfiduese dhe një terren të larmishëm. Në këtë garë morën pjesë çiklistë nga të gjitha ekipet e Shqipërisë, si dhe përfaqësues të kombëtares së Kosovës.
Garë shumë e fortë u zhvillua në kategorinë e të rriturve. Në sprintin final në Parrucë, vendin e parë e mori çiklisti i Kosovës, Blerton Nuha, i dyti u rendit Olsion Veliaj i Tiranës, ndërsa i treti Kristel Sota.
Kjo kupë mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme të çiklizmit në vend, duke kontribuar në promovimin e sportit dhe nxitjen e talenteve të reja.
