Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën dirigjimin e Elda Laros, çeli sezonin artistik për këtë vit me një koncert të veçantë homazh në Teatrin “Migjeni”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit të njohur Tish Daija.

Mbrëmja dhuroi emocione të forta artistike, ku publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër disa prej veprave më të spikatura të krijimtarisë së Daisë, një prej figurave themeluese të muzikës profesioniste shqiptare.

Në këtë koncert morën pjesë artistë të njohur të skenës shqiptare, si Justina Aliaj, Frederik Ndoci, Nina Muho, Anjeza Marku, Valbona Bushati, Ergi Papadhimitri dhe Vikena Kamenica, të cilët sollën për publikun disa nga këngët më të njohura.

Pas koncertit, protagonistët e kësaj mbrëmjeje ndanë emocionet e tyre, duke vlerësuar rëndësinë e rikthimit në skenë të veprave të Tish Daija dhe ndikimin e tyre në kulturën muzikore shqiptare.

Koncerti u prit me duartrokitje të gjata nga spektatorët, duke shënuar një nisje të suksesshme të sezonit artistik për Orkestrën Simfonike të Shkodrës dhe duke rikthyer në vëmendje vlerat e trashëgimisë muzikore shqiptare. Ai do të transmetohet i plotë së shpejti në rrjetin e RTSH.