Në Galerinë e Arteve Shkodër u çel ekspozita më e re “Eter, mes dukjes dhe thelbit” që sjell një ndërthurje interesante mes grafikës dhe skulpturës, përmes krijimtarisë së dy artistëve fierakë, Arben Koliçi dhe Eduart Meço.

Ekspozita paraqet një dialog artistik mes dy disiplinave, ku grafika dhe skulptura ndërthuren për të krijuar një gjuhë të përbashkët shprehjeje. Sipas artistëve, veprat e ekspozuara synojnë të nxisin lirinë e interpretimit, duke mos e kufizuar publikun në një këndvështrim të vetëm.

Drejtori i Galerisë, Fatmir Juka, u ndal te dinamika që sjell kjo ndërthurje artesh, duke theksuar se bashkimi i grafikës me skulpturën krijon një dimension të ri përvojash vizuale për publikun.

Ekspozita krijoi interes për vizitorët, të cilët vlerësuan qasjen bashkëkohore dhe komunikimin e drejtpërdrejtë që veprat krijojnë me publikun.