Pas një transformimi të plotë dhe të shumëpritur, kopshti “Bardhaj” në Shkodër është rikthyer në funksion, duke ofruar tashmë kushte krejtësisht të reja për fëmijët dhe stafin edukues.

Investimi i realizuar nga Bashkia Shkodër, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Objekteve Publike, i ka dhënë fund një periudhe të gjatë degradimi, duke e kthyer këtë institucion në një hapësirë dinjitoze, të sigurt dhe bashkëkohore për edukimin në moshat e hershme.

Sipas Zëvendëskryetares së Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, ndërhyrja ka qenë e plotë dhe ka synuar përmirësimin e standardeve për fëmijët.

Rikonstruksioni ka përfshirë të gjitha ambientet e godinës, duke sjellë përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë dhe funksionalitet. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është integrimi për herë të parë i tualeteve brenda godinës, duke rritur sigurinë dhe komoditetin për fëmijët. Gjithashtu, janë krijuar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe edukative.

Ky investim është pjesë e një serie ndërhyrjesh që Bashkia Shkodër po realizon në institucionet arsimore, me fokus krijimin e një infrastrukture moderne dhe të sigurt, në shërbim të brezave të rinj.