Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar nisjen e punimeve për ndërtimin e strehëzës së tretë për qentë endacakë, një investim që synon përmirësimin e menaxhimit të kësaj problematike dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Strehëza e re do të ketë një kapacitet prej rreth 100 qensh dhe do të përfshijë edhe një klinikë veterinare brenda godinës, duke garantuar trajtim të specializuar dhe kushte më të mira për kafshët.
Drejtori i Shërbimit Veterinar, Sokol Malaj, u ndal në detajet konkrete të projektit, duke theksuar rëndësinë e kësaj infrastrukture për rritjen e kapaciteteve në trajtimin, kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë në territor.
Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zgjidhjen e problematikës së qenve endacakë dhe në përmirësimin e sigurisë publike në qytetin e Shkodrës, duke krijuar një qasje më të organizuar dhe humane ndaj kësaj çështjeje.
