Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapi dyert për ekspozitën “Rrok Zojzi: Ekspedita etnografike”, një projekt që sjell për herë të parë për publikun një përzgjedhje të rrallë fotografish nga një prej figurave më të rëndësishme të etnografisë shqiptare.
Ekspozita prezanton punën e Rrok Zojzit, i cili konsiderohet pionier në përdorimin e fotografisë si mjet kërkimor. Përmes imazheve të realizuara gjatë ekspeditave në terren, dokumentohet jeta tradicionale shqiptare në një periudhë ndryshimesh të mëdha historike, duke përfshirë veshjet popullore, banesat, mjetet e punës dhe ritualet kulturore.
Kuratori Nebi Bardhoshi ndalet te roli i Zojzit si themelues i sektorit të etnografisë në Institutin e Antropologjisë, duke theksuar se kontributi i tij ka vlera të shumëfishta, si në aspektin shkencor, ashtu edhe në atë kulturor.
Ekspozita e realizuar nga Muzeu “Marubi” pati mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave, dhe synon të krijojë një dialog mes arkivit dhe interpretimit bashkëkohor.
