Në prag të sezonit turistik veror, në bregdetin e Velipojës është zhvilluar një aksion masiv pastrimi, i cili ka mbledhur një pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe institucionale. Mbi 1500 të rinj, së bashku me organizata, institucione shtetërore dhe biznese, iu bashkuan kësaj nisme, duke e kthyer atë në një angazhim të rëndësishëm komunitar në mbrojtje të mjedisit.
Vullnetarët u organizuan në grupe të strukturuara dhe u shpërndanë përgjatë gjithë vijës bregdetare, duke nisur nga zona e mbrojtur në derdhjen e lumit Buna e deri në lagunën e Vilunit. Ky koordinim mundësoi mbulimin e çdo segmenti të bregdetit, duke rritur efektivitetin e aksionit.
Të rinjtë pjesëmarrës theksuan se Velipoja përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shkodrës dhe se ruajtja e saj kërkon angazhim të përbashkët dhe të vazhdueshëm nga të gjithë.
Ky aksion vjen si një hap konkret në përgatitjen e bregdetit për sezonin veror, por njëkohësisht përcjell edhe një mesazh të fortë ndërgjegjësimi për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit në vijimësi.
